Policia e Vlorës ka dhënë detaje nga vdekja e pronarit të një agjencie turistike në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”.
Sipas unifromave blu, 63 vjeçari Nadir Gjata, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit të tij dhe përplasur një taksi të parkuar,, i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur edhe 2 automjete të tjera të parkuara.
Shkak dyshohet se gjatë drejtimit të mjetit 63 vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore dhe pas përplasjes së makinës ka humbur jetë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në lagjen “28 Nëntori” dhe nga këqyrja paraprake e trupit të Nadir Gjatës, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.
Ndërkohë familjarët e tij ngritën dyshime se ai ishte vrarë.
Njoftimi i policisë Vlorë:
Më datë 21.08.2023, rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”, shtetasi N. GJ., 63 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Ford Fiesta”, për pasojë automjeti i tij ka përplasur një automjet të parkuar (taksi), i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.
Paraprakisht, dyshohet se 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.
Trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.