Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar nga një juri prestigjioze e Spanjës, e cila i ka dhënë çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23.
Jaho është vlerësuar për interpretimin e rolit në operën “Suor Angelica” nga “Il Trittico” të Puccinit.
“Ndihem shumë e nderuar për këtë arritje të mahnitshme, si Artistja më e mirë e huaj e Asoc. de Teatros/Temporadas de Opera”, për interpretimin e një roli kaq të dashur për mua, siç është Suor Angelica, në Gran Teatre Liceu de Barcelona!
Gjithmonë mirënjohëse për Spanjën dhe publikun e saj! Për bujarinë e tyre, dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe që më bëjnë gjithmonë të ndihem sikur jam në shtëpinë time”, ka shkruar Jaho.
Juria e këtij edicioni për ndarjen e çmimeve kombëtare të lirikës është përbërë nga kritikë dhe gazetarë prestigjiozë të muzikës të cilët janë aktiv brenda dhe jashtë Spanjës.