Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në burgun grek të Kordhialos. Mediat greke raportojnë se është plagosur me thikë Andrea Kalemi, 51-vjeçar, shqiptar me origjinë nga Tepelena.
Dyshohet se atentati ndaj tij të jetë i porositur. Autori i dyshuar i plagosjes është një 28-vjeçar me origjinë egjiptiane.
Në momentin e arrestimit autorit të dyshuar ju gjet një thikë dhe një celular i thyer.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur midis datave 14 dhe 15 dhjetor, kur Kalemi është goditur me thikë nga një i burgosur 28 vjeçar egjiptian, i cili dyshohet se është paguar për këtë. Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë.
Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.
Këtij të fundit, gardianët i kanë sekuestruar një thikë dhe një celular të thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë.
Mësohet se ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast.
Mësohet se autori egjiptian ishte transferuar nga burgu i Domokos në burgun e Koridhalos, ndërsa në telefonin e tij ai kishte foton e Andrea Kalemit, për të cilin dyshohet se ishte paguar ta vriste.