Shoferi, i cili drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz”, që përplasi ditën e sotme një çift të rinjsh pranë Kryeministrisë në Tiranë, është arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia.
Ai është identifikuar si Jorgaq Thengjilli, 21 vjeç, banues në kryeqytet, ndërsa ende nuk dihen arsyet se përse ai po qarkullonte me shpejtësi jashtë limiteve në rrugën pranë Kryeministrisë, kur edhe humbi kontrollin e mjetit.
Sakaq, sipas autoriteteve, i riu i është nënshtruar testeve përkatëse dhe ka rezultuar se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.
Po ashtu bëhet me dije se kjo nuk është hera e parë që 21-vjeçari ka shkaktuar problematika në qarkullim, pasi është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.
Për pasojë, nga aksidenti që ndodhi mesditën e sotme janë plagosur dy të rinj, të cilët momentalisht ndodhen në gjendje të qëndrueshme në Spitalin e Traumës.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin J. Th., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, dhe ka aksidentuar shtetasit D. K., dhe K. D., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit i është nënshtuar testit me “Drager” dhe “AquilaScan” dhe ka rezultuar që nuk kishte konsumuar pije alkoolike, apo lëndë narkotike.
Ky shtetas është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.