Policia spanjolle ka arrestuar në Madrid një nga trafikantët më të kërkuar në Europë.
Ai është një shqiptar, i cili drejtonte një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës që ka vepruar në fushën e kultivimit dhe trafikut të kanabisit në Belgjikë në vitet 2014-2018.
Ai është Haredin Fejzulla 59 vjeç, sipas mediave spanjolle që kanë publikuar identitetin e tij, foton dhe pamjet e momentit të arrestimit.
Sipas Policisë, hetimet për gjetjen e tij kanë nisur në janar të vitit 2023, për shkak të dyshimeve se ai mund të fshihej në Madrid. I arratisuri mori masa të shumta sigurie për të mos u lokalizuar dhe kishte mjete të ndryshme me të cilat udhëtonte të fshehura, si dhe shtëpi të shumta ku kalonte natën me ndërprerje.
Ai ndërronte rregullisht edhe celularin. Megjithatë, ai u gjet të enjten e kaluar në lagjen Carabanchel kur po shkonte drejt një furgoni që kishte shkuar për ta kërkuar pranë njërës prej vendstrehimeve të tij.