Policia e Tiranës në bashkëpunim me kolegët në Kukës kanë vënë në pranga 32-vjeçarin, Edison Elezaj. Ai ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe pas kësaj ishte arratisur drejt Kukësit, ku po qëndronte në një hotel atje.
“Më datë 23.07.2024, në Rrugën e Kavajës, 32-vjeçari dyshohet se aksidentalisht ka bërë shkrepje të pavullnetshme me një armë zjarri, dhe si pasojë janë plagosur 3 shtetas”, njoftoi këtë të enjte policia.
Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë arrest me burg në mungesë nga gjykata e Tiranës.
Nga ngjarja në fjalë, që ndodhi më 23 Korrik, mbetën të plagosur tre persona, dy vëllezër dhe motra e tyre.
Policia tha se disa të rinj ishin në një festë së bashku me familjarët e tyre kur 32-vjeçarit iu shkrep në mënyrë të pavullnetshme arma që mbante pa leje.
Të lënduarit më pas u dërguan në një spital privat në Tiranë dhe pasi morën ndihmën e parë u larguan në shtëpinë e tyre.
Ndërkohë që Elezaj u arratis menjëherë pas ngjarjes, pas hetimeve, policia vuri në pranga dy shokë të tij, Arjan Dushaj dhe Dardan Zalli për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.