Ka ndërruar jetë në spital, i riu nga Tirana që ndodhej në koma, pasi u arrestua nga policia më 12 prill të 2023 nga forcat e Komisariatit Nr.2.

27-vjeçari Janin Rustemi, u arrestua për vjedhjen e një tapeti dhe një pale atlete. Mirëpo pesë ditë pas arrestimit, më 17 Prill u dërgua me urgjencë në QSUT pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.

Nëna e tij disa ditë më parë ka thënë se Policia nuk i ka dhënë asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të të birit.  Ajo është shprehur se djali nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk e lënë as që të hyjë në spital t’i qëndrojë afër.

Në lidhje me këto pretendime, më 2 maj Policia e Tiranës ka dhënë sqarim duke thënë se po hetojnë shkaqet e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij në ambientet e burgut.