Personi që shihni në foton e mëposhtme është 68-vjeçari Lulëzim Cami, i cili u vra me armë zjarri pistoletë nga i vëllai Vehap Cami, 63-vjeç.
Krimi u regjistrua mëngjesin e të enjtes në banesën e Lulëzim Camit në zonën e Freskut në Tiranë, rreth orës 07:40 në rrugën “Xhon Belushi”.
Dy vëllezërit ishin me origjinë nga Tërbaçi i Bulqizës dhe ishin shpërngulur në kryeqytet pas viteve ’90.
Autori Vehap Cami jetonte në Lundër dhe i shkoi në mëngjes të vëllait në banesën e tij me qira në Fresk dhe sipas dëshmive, mes tyre nuk ka patur debate, por janë dëgjuar vetëm krismat e pistoletës. Pasi vrau të vëllain, 63-vjeçari qëlloi më pas edhe veten për vdekje.
Deri më tani, pista e vetme ku po heton Policia për shkakun e krimit, dyshohet të jenë përplasjet e vjetëra mes vëllezërve për pronat në fshatin Tërbaç që ndodhet në kufi mes Bulqizës dhe Dibrës.
Gjithsesi, Policia e Bulqizës ka konfirmuar për mediat se nuk kishte regjistruar asnjë denoncim apo incident të regjistruar mes palëve. Pas krimit, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e vëllezërve Cami, të cilët burime bëjnë me dije se po ashtu kanë mohuar nëse kanë pasur dijeni për ndonjë konflikt mes vëllezërve për pronat.
Policia e Tiranës veç dëshmive të familjarëve, ka sekuestruar dhe armën e krimit dhe disa pamje të kamerave të sigurisë në zonë dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkakun e krimit.
Pronarja e banesës ku jetonte me qira Lulëzim Cami në Fresk, në një prononcim për mediat e ka përshkruar viktimën si një njeri të rregullt dhe të qetë dhe se nuk kishte probleme me pagesat e qirasë.