Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Fier, ku një person ka humbur jetën
Gazetari i Vizion Plus Ilmi Saliaj raporton se Grei Bihuci 19-vjeç është viktima, ku fillimisht ai ka mbetur i plagosur, por për shkak të plagëve të marra humbi jetën në spital.
Viktima ishte nxënës i shkollës profesionale “Petro Sota” ne degën TIK.
Këtë të hënë, ai ka bërë vetëm dy ore mësim dhe i ka lënë orët e tjera.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:30 të ditës së sotme në qendër të qytetit. Autori , i identifikuar si Florjan Muka ka qëlluar me thikë 19- vjeçarin Grei Bihuci dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte , duke marrë edhe ai plagë të rënda.
Burimet nga spitali bëjnë me dije se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kururgjisë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën . Ndërkohë autori 18- vjeçar Florjan Muka, ka rënë në prangat e policisë.
Mësohet se sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohë mësohet se 19- vjeçari i cili ka ndërruar jetë, punonte edhe si kamarier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.
Sipas dëshmitarëve konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica, dhe djali në përpjekje për të shpëtuar ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë paralel me ngjarjen e rëndë , një hajdut vetëm pak metra më larg ka tentuar ti vjedhë çantën një gruaje , por ka rënë në prangat e policisë.