Inxhinieri Dhimitri Gusho, i cili u largua nga Shqipëria rreth viteve ’93, u shpreh se shqiptarët duhet ta duan më shumë vendin e tyre dhe t’ia kuptojnë vlerat që ka, sepse Shqipëria në këto momente ka nevojë për njerëz të ndershëm që të kontribuojnë çdo ditë me pasion dhe punë.

“Vendin tim e dua shumë, vij çdo vit në Shqipëri. Kënaqem sa herë që vij. Por ndryshon puna kur je turist, nuk e kam provuar përditshmërinë. Por di të them se financiarisht jeta në Shqipëri është më e mirë se në Kanada. Në Kanada mund të fitosh shumë para, por ke po ashtu dhe shumë shpenzime. Dikur këtu me një rrogë jetohej mirë, tani nuk mjaftojnë. Në Shqipëri, kolegë, miq apo studentë të mi, jetojnë më mirë. Por shumicën që takoj, i kanë fëmijët jashtë, nuk më vjen mirë, Shqipërisë po i largohet brezi i ri, e ardhmja.

Njerëzit duhet të bëhen më të ndërgjegjshëm, ky lloj emigrimi masiv duhet të marrë fund. Kur mendoj që studentët e vitit ’90, u ngritën, edhe në momente kur të ikte jeta, sot mungon revolta për të ndryshuar realitetin.

Shqipëria është vend i bekuar, por e drejtojnë politikanët. Revoltohem, kur dëgjoj njerëz që thonë: “Ah, të vijë dhe njëherë Enveri”.

Ata njerëz nuk kanë memorie, ajo kohë ishte ndër më të këqijat për vendin, më vjen keq, që dëgjoj këtë realitet. Ka ardhur koha t’i jepet mundësia njerëzve të ndershëm, të shquhen dhe të flasin. Të gjithë kudo që jemi, të punojmë dhe të nderojmë Shqipërinë. Të mbajmë vlerat që kemi, t’i shtojmë ato”, tha zoti Gusho.