Sportisti 16-vjeçar nga Gjirokastra, Hysen Kroi, së fundmi është shpallur Kampion Ndërkombëtar në sportin e kick box-it, në një aktivitete sportiv të zhvilluar në Zvicër.

Prej 6 vitesh ai stërvitet plot dëshirë dhe pasion, nën drejtimin e trajnerit Klodian Tosuni, ndërsa numëron rreth 30 ndeshje pjesën me të madhe të të cilave e ka mbyllur me fitore.

Sportisti gjirokastrit shprehet se, fillimisht e ka patur të vështirë për tu bërë pjesë e kick box-it, mësuar teknikat sportive dhe për t’u përgatitur për ndeshjet e ndryshme.

“Patjetër që është një sport i vështirë, dhe fillimi normal që është shumë  i vështirë të merresh me kick box, ka qenë e vështirë që të mësoja të gjitha teknikat dhe po ashtu të hyja në ndeshje, të përgatitesha për atë ndeshje.

Që në fillim e kam dashur këtë sport dhe patjetër duke kaluar koha duke e pëlqyer më shumë si sport. kemi marrë pjesë në shumë kampionate dhe kam rreth 30 ndeshje amatore”, pohon Hyseni

Për të, të merresh me sport dhe aq më tepër të shpallesh kampion duhet shumë punë, mund, dhe orë të gjata stërvitje.

“Nëse i përkushtohesh këtij sporti normal që do të humbasësh pak nga jeta sociale nuk mund të jesh si bashkëmoshatarët që i kryejnë të gjitha aktivitetet sepse duhet të jesh në palestër, të përgatitesh për ndeshje”, shprehet kampioni gjirokastrit.

Në garat sportive numëron shumë ndeshje por sërish veçon duelin e fundit sportiv, i cili e shpalli Kampion Ndërkombëtar për Amatorët në Zvicër.

“Është kjo ndeshja e fundit ku fitova edhe titullin kampion i Zvicrës në peshën 65 kg, pasi kisha shumë kohë që përgatitesha për këtë ndeshje dhe doli me sukses”, tha ai.

Kampioni Hysen Kroi, iu rekomandon të rinjve që të merren me sport sepse është diçka mjaft e mirë për një trup të shëndetshëm dhe energji pozitive në jetë.

“Mund të jem lodhur por nuk kam dashur kurrë ta lë këtë sport, nuk jam dorëzuar asnjëherë. Jua rekomandoj të gjithë bashkëmoshatarëve që të vijnë e ta ushtrojnë këtë sport sepse është një sport shumë i mirë, ka shumë disiplinë, madje e mban trupin shumë mirë në formë dhe mëson shumë kulturë nga ky sport”, shprehet kampioni i kick box-it.