Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier. 42-vjeçari Altjon Sulejmani, tashmë i arrestuar, akuzohet se i ka vënë flakën banesës së prindërve të moshuar në lagjen “15 Tetori”.
Nga hetimet paraprake, rezulton se 42-vjeçari i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, më pas i ka mbyllur dyert në mënyrë që të mos dilnin dhe është larguar.
Në ndihmë të tyre ka ardhur një i ri, Romeo Mersini, i cili ka rrëfyer edhe momentet kritike. “U ktheva nga puna, më thotë xhaxhi “o Romeo, ndihmë”.
U futa midis zjarrit. Shkova i ndihmova unë, e di gjithë lagjia. Unë shkova i nxora. U futa mes zjarrit, nuk mund të hynte shteti se kishte shumë zjarr. Unë e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë.
Nxora një herë babanë te ballkoni, pastaj e nxora zonjën megjithë shtetin. Debatova me zjarrfikësen. I thosha “hyni brenda”, talleshin me mua”, u shpreh ai.
Çifti i të moshuarve ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Dyshohet se zjarri u vu nga djali i tyre 42-vjeçar, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.