Kjo është 35-vjeçarja e cila humbi jetën në aksidentin tragjik në aksin rrugor Krane-Qafë Botë mëngjesin e sotëm.

Nëna e tre fëmijëve, Adriana Prendi kishte martuar vëllain dhe po kthehej drejt Greqisë, ku edhe jetonte me familjen, por aksidenti rezultoi fatal për të.

Të plagosur në aksident mbetën edhe bashkëshorti i saj, Gëzim Prendi, i cili drejtonte mjetin dhe një pasagjer, 37-vjeçar Emanuel Gera, që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas uniformave blu, aksidenti ndodhi rreth orës 05:50 në dalje të Konispolit.

Mësohet se 43-vjeçari Gëzim Prendi, ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë makina ka dalë nga rruga.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës, 05:50, të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Krane-Qafëbotë, në dalje të Konispolit, automjeti tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin G. P., 43 vjeç, ka dalë nga rruga, dhe për pasojë ka humbur jetën pasagjerja, shtetasja A. P., 35 vjeçe, bashkëshortja e 43-vjeçarit, banuese në Konispol.

Si dhe ka pësuar dëmtime pasagjeri tjetër në këtë automjet, shtetasi E. G., 37 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.