Është shpallur në kërkim ish-shefi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore së Durrësit, Kushtrim Selimi.

Ai akuzohet të ketë zaptuar një sipërfaqe toke, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Kushtrim Selimi është ish-punonjësi i AMP-së i cili u përfshi në skandalin e lajmeve të rreme dhe gjovbvënie përmes portalit të tij. Ai u vetëdorëzua dhe iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Siç raportojnë burimet, ai ka mundur të largohet nga Shqipëria pavarësisht se ndaj tij kishte një masë sigurie, e dyshohet të ketë ikur drejt Britanisë së Madhe.

Ish-shefi i AMP-së akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.

Janë lëshuar dhe 6 masa sigurie për persona të tjerë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, moskallëzim krimi.

Masat e sigurisë dhe akuzat që rëndojnë ndaj tyre si më poshtë:

  • Shtetasi E.V., i është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Është i shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesë.
  • Shtetasja R.O., i është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi penal”.
  • Punonjësi i Policisë, E.P., me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Durrës, i është caktuar masa e sigurisë “Pezullim nga detyra”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës, i kryer në bashkëpunim”
  • Punonjësi i Policisë, S.S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në Durrës, i është caktuar masa e sigurisë “Pezullim nga detyra”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës, i kryer në bashkëpunim”.
  • Punonjësi i Policisë, K.K., me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në Durrës, i është caktuar masa e sigurisë “Pezullim nga detyra”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës, i kryer në bashkëpunim”
  • Punonjësi i Policisë, A.J., me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Kavajë, i është caktuar masa e sigurisë “Pezullim nga detyra”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës, i kryer në bashkëpunim”

Sipas njoftimit, këta shtetas, i kanë siguruar Kushtrim Selimit mjetet e nevojshme për ndërtimin e paligjshëm të vilës në tokën e zaptuar prej këtij të fundit.

NJOFTIM

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës – Kavajë ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkuar nga Prokuroria në kuadër të procedimit penal të vitit 2024 për masat e sigurisë:

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit E.V., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.

Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases R.O., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë E.P. me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë S.S. me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë K.K. me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë A.J. me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet e kryera u siguruan prova se shtetasi K.S., gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Shef sektori pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet e pozicionit, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Punonjësit e policisë, tashmë nën masa sigurie, në dijeni të veprimeve të kundraligjshmë kanë siguruar mjetet e nevojshme për ndërtim.