Nje 38 vjeçar humbi jetën pasi u ekzekutua pak pas mesnatës nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi në fshatin Katund të Sukthit.
Raportohet se në vendin e ngjarjes vijojnë të jenë ekspertë kriminalë dhe forcat e FNSH të cilët po krehin zonën për të identifikuar dhe ndaluar personat që mund të kenë marrë pjesë në atentat.
Nga të dhënat e para dyshohen që kanë qenë 2 persona që kanë marrë pjesë në krim. Njëri në rolin e qitësit ndërsa tjetri ka ndihmuar në largimin nga vendi i krimit.
Mendohet që autorët pas kësaj kanë marrë një rrugë dytësore për t’u larguar, pasi është një zonë që nuk mbulohet mirë nga ndriçimi. Në vendin e ngjarjes nga ana e efektivëve thuhet se janë mbledhur të gjitha gëzhojat. Ata po punojnë për mbledhjen e kamerave të sigurisë për t’i analizuar.
Autorët kanë qëlluar mbi mjetin e Dervishit të 15 plumba. Momentin e krimit, viktima ka qenë së bashku me një mikun e tij në makinë, i cili ka shpëtuar i palënduar. Ai ka dëshmuar se ndaj tyre është qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal
Policia shoqëroi të paktën 15 persona me precedentë të mëparshëm penalë.
Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer në banesën e tij në Katund Sukth pasi jetonte jashtë shteti së bashku me familjen e tij.
Ai ishte babai i dy fëmijëve. Në zonën ku u vra jeton vetëm i ati dhe siç raportoi gazetarja Enkeleda Arapi, viktima kishte ardhur për të ndërtuar një restorant në pjesën e përparme të shtëpisë.
Banorët thanë se ishte një person që nuk krijonte problematika në zonë.