Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit dhe Emigracionit në Korçë, Stiljan Pasho, është arrestuar nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore nën dyshimin për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike.
Mësohet se 53 vjeçari duke shfrytëzuar postin e tij si kryekomisar, ka favorizuar shtetasin Lorenco Lika për të kaluar drejt Greqisë me 26 kg kanabis në automjetin e tij.
“Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, dyshohet se Kryekomisari S.P., me veprime konkrete e të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundmi në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet, si dhe duke urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e tij”- thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.