Një i ri shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivimin e 1720 bimëve narkotike, në Tepelenë, është arrestuar në Itali dhe ekstraduar më pas drejt Shqipërisë.
27-vjeçari nga Tepelena, Aldo Halili, i dënuar me 6 vjet burgim u kap në sajë të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët italianë, të cilët lokalizuan të riun.
Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Itali, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar atë, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Halili ka kultivuar 1720 bimë narkotike, në Tepelenë, në vitin 2016, ndërsa pas ekstradimit iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.