Policia e Sarandës ka arrestuar një 38-vjeçar me iniciale Erxhi Sulo, pasi u kap duke transportuar me kamionçinë kundrejt pagesës 33 emigrantë që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së.
38-vjeçari u kap në flagrancë në vendin e quajtur Ura e Çukës dhe bëhet me dije se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Border 10”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë.
Transportonte me një kamionçinë, kundrejt pagesës, 33 emigrantë, që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së, vihet në pranga 38-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në infomacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 10”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi E. S., 38 vjeç, banues në Lushnjë.
Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vendin e quajtur Ura e Çukës, Sarandë, duke transportuar me një automjet tip kamionçinë, kundrejt pagesës, 33 emigrantë, që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.