Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e regjistruar më 20 shtator në fshatin Stjar të Delvinës, ku një 33-vjeçar përfundoi i plagosur në spital dhe deklaroi se ishte dëmtuar aksidentalisht, nga plasja e një fisheku luftarak, teksa ka qenë duke punuar tokën.
Bëhet fjalë për shtetasin Hekuran Murtaj, i cili pas hetimeve rezulton se ka mashtruar mbi plagosjen e tij. Sipas autoriteve policore Hekuran Murtaj, është vetëplagosur aksidentalisht, gjatë kohës që punonte në tokën e tij, me një armë zjarri të cilën e posedonte pa leje.
Policia raporton se shtetasit Mullez Murtaj dhe Luan Rama kanë fshehur armën e zjarrit, si dhe se kanë bërë kallëzime të rreme, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së kësaj ngjarjeje.
Blutë e Sarandës i kanë arrestuar të tre këta shtetas, më konkretisht:
Hekuran Murtaj, 33 vjeç, banues në fshatin Stjar, Delvinë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Mullez Murtaj, 63 vjeç dhe Luan Rama, 51 vjeç, të dy banues në fshatin Stjar, Delvinë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Kallëzimi i rremë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.