Tre persona janë arrestuar në Sarandë pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Mësohet se këta tre persona së bashku me një të katërt të shpallur në kërkim, po transportonin emigrantë të paligjshëm.
I riu që është shpallur në kërkim po lëvizte me automjet para tre makinave me emigrantë për të monitoruar rrugën për shkak të policisë. Tre personat me emrat Eduart Kërçiku, Elion Bakalli, Bernard Karaje u arrestuan në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur “Ish-miniera e Kripës”, Finiq. Ndërkohë që në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tyre Leonard Celiku.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Border 8”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Gjirokastër dhe me Frontex-in. Transportonin me 3 automjete, kundrejt pagesës, 13 emigrantë që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së, vihen në pranga 3 shtetas. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, i cili lëvizte me automjetin e tij, para 3 automjeteve me emigrantët, për të monitoruar rrugën, për prezencën e shërbimeve të Policisë. Njëri prej të arrestuarve, përsëritës për këtë veprimtari kriminale, aktualisht me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”.
Sekuestrohen 3 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe automjeti tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Gjirokastër dhe me Frontex-in, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në infomacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 8”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur “Ish-miniera e Kripës”, Finiq, u arrestuan shtetasit E. K., 26 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. B., 23 vjeç dhe B. K., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Po në kuadër të këtij operacioni u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të këtyre 3 shtetasve, shtetasit L. C., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka braktisur automjetin me të cilin lëvizte. Punohet për kapjen e tij. Të 4 këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 13 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasit E. K., E. B. dhe B. K. drejtonin përkatësisht automjetet tip “BMW”, “Volksawagen” dhe “Skoda”, me të cilët transportoheshin emigrantët, ndërsa shtetasi L. C. (i shpallur në kërkim pas identifikimit nga shërbimet e Policisë) lëvizte me automjetin e tij, me qëllim monitorimin e rrugës, për të shmangur shërbimet e Policisë. 4 automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.