Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shtetasit Gregor (alias Ledion) Likaj, Arbër Saraseli, Saverjo Imeraj dhe Qemal Pekmezi.
Këta persona akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet e SPAK dhe aktet e administruara nga autoritetet italiane të drejtësisë, ka rezultuar se më datë 07 gusht 2022, katër të pandehurit, duke shfrytëzuar mjete lundruese me mbishkrimet “Syri”, “Eljo”, “Open Space/Amantia”, pikërisht në tranversën e “Gjirit të Arushës”, rreth 13.4 milje nga bregu, kanë realizuar transportimin dhe trafikimin e sasisë prej 153 pako, me peshë totale 992 kg lëndë narkotike e llojit “Cannabis Sattiva”, tek mjeti tjetër lundrues varkë me vela e quajtur “Scarabeo”.
Ky mjet lundrues, është sekuestruar nga shërbimet policore të Guardia Di Finanzza Itali, dhe në brendësi të tij është sekuestruar sasia prej 992 kg, lëndë narkotike e llojit “Cannabis Sattiva”, e trafikuar nga të pandehurit, si dhe janë arrestuar dy shtetas ukrainas që ndodheshin në bordin e njësisë së lundrimit varkë me vela e quajtur “Scarabeo”.