Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shëngjin.

Policia ka shpallur në kërkim një 25-vjeçar i cili tentoi të vriste ish-bashkëshortin e motrës së tij, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.

Sipas uniformave blu, bëhet me dije se shtetasi Antonio Uldedaj tashmë i shpallur në kërkim, ka përplasur qëllimisht disa herë me automjet e tij ish-kunatin, shtetsain Marsido Patin i cili ka mbetur i plagosur.

Fillimisht ngjarja e ndjeshme u raportua aksidentale por sot u zbardhën detaje tronditëse të sherrit mes dy shtetasve të lartpërmendur.

Paraditen e djeshme, Policia është njoftuar se kishte ndodhur një aksident rrugor në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Policisë Rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që u raportua fillimisht si aksident.

Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës”, njofton policia.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.