Policia greke ka goditur një grup të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Megara në Athinë.
Fillimisht policia ka goditur një grup shpërndarjeje në 27 qershor 2023, ku u arrestuan 2 persona dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, por informacionet e policisë zbuluan se ata nuk ishin të vetmit persona që përbënin grupin kriminal.
Sipas policisë greke, nën drejtimin e 30 vjeçarit shqiptar Armando Bregasi vepronte një linjë tjetër e këtij grupi.
Policia greke në tetor 2023 vuri në përgjim 3 numra celulari, prej të cilave dyshohej se kryhej shpërndarje narkotikësh.
Përdorues të këtyre numrave u identifikuan Ardiano Xhangollari, 44 vjec dhe Manuel Toska, 35 vjec.
Si bashkëpunëtorë të dy shqiptarëve, hetimet zbuluan edhe emrat e shqiptarëve të tjerë Armando Bregasi, 30 vjeç, Kozeta Bregasi, 52 vjeçe, Enis Morava, 39 vjeç, Euklid Ago, 35 vjeç dhe Arben Memajdini, 40 vjeë, të grekut Vasileios Dhiamantopoulos, 35 vjeç por u zbulua gjithashtu edhe veprimtaria e një shtetasi ende të paidentifikuar për të cilin autoritetet po punojnë për gjetjen e tij.
Nga hetimet rezultoi se anëtarët e këtij grupi kriminal, merren me shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht sasi kokaine, me qëllim përfitime të paligjshme financiare, të cilat më pas i legalizojnë nëpërmjet bizneseve të mbajtura nga kreu i grupit dhe anëtarët kryesorë, përfshirë pika karburantesh.
Gjatë operacionit policor të kryer nga policia e Megara në bashkëpunim me skuadrën e ndërhyrjese së shpejtë OPKE dhe me ndihmën e qenve nuhatës, u kontrolluan 5 banesa të Armando dhe Kozeta Bregasit, Ardiano Xhangollarit, Manuel Toskës, Arben Memajdinit dhe Vasileios Dhiamantopoulos dhe bizneset e tyre.
Nga kontrollet u sekuestruan 219 gram kokainë, 180 gram marijuanë, barna me efekte alushinante, 22.460 euro, 50 paund, pistoletë me ajër,
8 celularë, 3 peshore elektronike, karta dhe libreza bankare, shkrime dore si dhe automjetet luksoze 2 “Audi Q5” dhe 1 “VW Golf” si dhe 2 motorra.
Gjatë operacionit u arrestuan Armando Bregasi, Kozeta Bregasi, Ardiani Xhangollari, Manuel Toska dhe Vasileios Dhiamantopoulos ndërsa u shpallën në kërkim Enis Morava, Euklid Ago dhe Arben Memajdini.