Novrus Cenalia, efektiv i Forcave “Shqiponja” në Drejtorinë e Fierit, ka mbetur i vdekur mesditën e sotëm në fshatin Baltëz. Ai është qëlluar disa herë më armë zjarri nga një shtetas tjetër, i identifikuar nga uniformat blu si Asllan Mernica, duke humbur jetën në vendngjarje.
Forcat Speciale RENEA kanë dalë me urgjencë nga reparti dhe janë nisur drejt Fierit, për të lokalizuar dhe ndaluar autorin e vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”.
Një grup hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të saj. Ajo që dihet deri tani, është se sherri ka ndodhur për një vend parkimi.
Novrus Cenalia ka qenë i veshur me uniformën e shërbimit, por jashtë tij, sepse po shkonte drejt vendit të punës për të marrë detyrën. Autori Asllan Mernica ka qëlluar disa herë me armë dhe është larguar me një mjet ngjyrë blu nga vendngjarja.
“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Fierit.