Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në një azil pleqsh në Tiranë, ku një i moshuar goditi me bastun hekuri, duke i shkaktuar vdekjen shokut të tij të dhomës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në një dhomë të azilit ku dy të moshuarit janë konfliktuar me njërin tjetrin për krevatin.

Mësohet se autori, shtetasi me inicialet Zyhdi Shehu, 78 vjeç, i ka thënë shokut të tij të dhomës, Virgjil Vesho, se “pse më ke zënë krevatin”.

Autori e ka qëlluar disa herë me bastun në disa pjesë të trupit dhe në kokë, duke e lënë 82-vjeçarin të vdekur në vend. Menjëherë punonjësit e stafit të azilit kanë njoftuar ambulancën dhe policinë për ngjarjen e rëndë.

Pas ngjarjes autori i dyshuar është arrestuar, ndërsa ndodhet në polici.

Autori i ngjarjes, Zyhdi Shehu, kishte një vit që qëndronte në azilin privat, ndërsa viktima, Virxhil Vesho, kishte 4 vite që qëndronte në këtë institucion.

Mësohet se 78-vjeçari pas sherrit për krevatin, ka goditur disa herë me shkop shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Sakaq, pas alarmit që dhanë stafi i këtij azili, policia bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar. Të dy të moshuarit vuanin nga skleroza.