Disa banda kriminale në Shqipëri janë zbërthyer falë rrëfimeve të të penduarve të drejtësisë.
Emisioni Review në Euronews Albania bëri një bilanc të personave që u kthyen në të penduar të drejtësisë dhe sa i ka vlejtur drejtësisë shqiptare bashkëpunimi që ata kanë pasur me të.
1-Enkeked Agai
I akuzuar si anëtar i bandës së quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”. I vetmi që gjatë marrjes në pyetje tregoi gjithë veprimtarinë e grupit. Pas 1997 u gjet i vrarë në zonën e Dajtit.
2-Astrit Muldaka
Dëshmitar/pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari shtator 1998. U “peshkua” nga grupi hetimor i çështjes në burgun e Regina Celi në Romë, Itali. Pranoi të rrëfente autorët kundrejt lehtësirave penale në Itali dhe Shqiperi. Dëshmoi se në vrasjen e Azem Hajdarit ishin përfshirë Fatmir e Halil Haklaj, Jaho Mulosnani, Naim Çangu, Izet Haxhia etj.
3-Adriatik Coli
Anëtar i Bandës së Durrësit. I akuzuar për 8 vrasje. U vlerësua për tu marrë bashkëpunëtor me qëllim për të zbardhur një numër më të madh krimesh të Bandës së Durrësit.
4-Petrit Lici
Anëtar i bandës së Lushnjës. I akuzuar për pjesëmarrje në një vrasje. U vlerësua të merrej si bashkëpunëtor i penduar për të zbardhur të gjitha krimet e Bandës së Lushnjes, alias banda e Alfred Shkurtit njohur edhe si Aldo Bare.
5-Julian Sinanaj
Vrasës me pagesë. U vlerësua të bëhej bashkëpunëtor i penduar i drejtësisë me qëllim që të zbardheshin emrat e porositësve të vrasjeve, e konsideruar si pjesë më e rëndësishme e hetimit.
6-Ervis Bardhi
Anëtar i bandës së Çapjave në Elbasan. U vlerësua si bashkëpunëtor i penduar për të zbardhur të gjitha krimet e kësaj bande.
7-Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej
Anëtarë të një grupi që kryenin vrasje me pagesë. U konsideruan si bashkëpunëtorë të drejtësisë me qëllim zbardhjen e një numri vrasjesh me pagesë.
8- Artan Tafani
Personi që grabiti 30 mijë euro në një pikë këmbimi valutor në zonën e Unazës së Re në kryeqytet është kthyer në të penduarin e drejtësisë, duke dhënë informacione për rreth 20 ngjarje kriminale, gjashtë prej të cilave për vrasje në disa qytete. Pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut, në Lushnje, ka rrëfyer se dy prej vrasjeve kanë ndodhur në Greqi ndërsa 4 të tjerat kanë ndodhur në Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.