Pezullohen nga detyra nëntë drejtues policie në Gjirokastër. Në një reagim zyrtar AMP bën me dije se këta persona lejuan kalimin e paligjshëm të kufirit në Gjirokastër.

REAGIMI I PLOTË

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur në datë 21 tetor, caktimin e masave të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 9 punonjës policie pranë DVKM Gjirokastër.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e konkretisht:
Kryekomisar Florian Mustafaj, Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër.
– Komisar Rami Ruçi, Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
– N/Komisar Ediat Kanina me detyrë Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
– N/Komisar Benard Kermaj, me detyrë Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
– Drejtues Behar Tafa, Kordinator i Operacionit Frontex.
– Inspektor Ramiz Balliu, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër
– Inspektor Dritan Sako, me detyrë trup shërbimi ne Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
– Inspektor Emiliano Kazma, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.
– Inspektor Drini Çaçi me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.

Vendimi i Gjykatës është rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së migrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar. Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo bashkëpunëtorëve të tyre.