Një ngjarje e trishtë u regjistruar në orët e para të mëngjesit në Has.
Zjarri përpiu një banesë, në të cilën ndodheshin tre anëtarë të një familjeje. Rexh Lushi, djali i shtëpisë, sapo pa zjarrin nxitoi të shpëtonte nënën dhe bashkëshorten. Kjo e fundit mundi të dilte në kohë nga banesa, por fati nuk ishte i njëjtë edhe për dy të tjerët.
Në tentativë për të shpëtuar nënën, Rexh Lushi mbeti në banesë. Nënë e bir humbën jetën tragjikisht nga flakët që përfshinë shtëpinë e tyre.
Deri në këto momente, zjarrfikësit kanë gjetur vetëm trupin e Time Lushit dhe po punohet për gjetjen e djalit të saj.
Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen, duke theksuar se ende nuk dihet shkaku i saktë i zjarrit, gjë për të cilën po hetohet nga një grup ekspertësh.
“Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L. Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa. Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thekson policia në njoftimin zyrtar.