Policia në Korçë ka arrestuar 41 vjeçarin që plagosi ditën e djeshmë ish partneren e tij në lagjen nr.3 të Korçës.

Sipas burimeve konfidenciale bëhet e ditur se 41 vjeçari pasi është arrestuar nga policia ka dhënë deklaratën paraprakë në të cilën ka sqaruar se me Mandarina Çelën e datëlindjes 1978 nuk e kishin shkëputur marrëdhënien.

“Unë pasi mbarova masën e arrestit u largova për në Greqi dhe pasi jam kthyer kam rinisur me Mandarinën marrëdhënien tonë duke konsumuar biseda telefonike, më pas Mandarina ka dashur ta shkëpusë marrëdhënien tonë gjë që unë nuk pranova dhe në gjaknxehtësi e sipër e kam goditur me thikë”.

Këto kanë qënë fjalët që 41 vjeçari ka rrëfyer përpara policisë së Korçës ndërkohë që do të jenë veprimet e tjera hetimore që do të zbardhin ngjarjen e rëndë.

Manderina Çela u plagos me thikë në zonën midis mjekrës dhe qafës nga Ilir Çami mëngjesin e së mërkurës.

Plaga nuk ka qenë shumë e rëndë dhe aktualisht Çela ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë Ilir Çami pritet të njihet me masën e sigurimit në ditët në vijim.

‘Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, Korçë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, shtetasin I. Ç., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, pasi goditi me thikë shtetasen M. Ç., e cila aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.’‘ thuhet në njoftimin e policisë.