Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim është asrrestuar ditën e sotme në Belsh. Bëhet me dije se Ervis Dervishi së bashku me të vëllain Altin Dervishi (i arrestuar më parë), kanë kanosur para një viti ish-shokun e tyre Aleko Ferhatin për t’i marrë 200 mijë euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve.
Ndaj Ervis Dervishit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”.
Ndalohet një 32-vjeçar i shpallur në kërkim, i cili akuzohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, 1 vit më parë, kanosën një 34-vjeçar, që ai t’iu jepte 200 000 euro.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, bazuar në inteligjencën informative, ndaloi shtetasin në kërkim Ervis Dervishi 32 vjeç, banues në Belsh.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.
Shtetasi E. D., më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit “Pressure”), dyshohet se kanë kanosur Aleko Ferhatin 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.