Policia e Shkodrës ka zbardhur atentatin e regjistruar në zonën e Dragoçit në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 33-vjeçari Ramazan Mataj brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.

Burime bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona, babë e bir, si autorë të dyshuar të vrasjes, teksa janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë.

Sipas po të njëjtave burime mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Rrustem Hasaj, 60 vjeç dhe djali i tij, Arjon Hasaj, 29 vjeç, nga fshati Dragoç i Postribës, i njëjti fshat me viktimën.

Ndërkohë, dy të shoqëruarit e tjerë janë të afërm të autorëve të dyshuar, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Burime pranë bluve të Shkodrës bëjnë me dije se njëri prej personave është arrestuar në kufi, duke tentuar të largohej, ndërsa një është arrestuar në shtëpi.

Njëri prej tyre dyshohet si autori kryesor, ndërsa të tjerët si bashkëpunëtorë.