Dy policët që i vodhën një emigranti në Sarandë 400 euro dhe një celular janë lënë në arrest shtëpie.
Dorian Sulo dhe Ronald Xhaferi janë lënë arrest shtëpie ditën e sotme, pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale
“Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 135 e 25 i Kodit Penal.
Njoftimi
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Vlorë-Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Sarandë, ka kryer sot ekzekutimin e urdhërit të Prokurorit në zbatim të vendimit Nr. 15 datë 01.02.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, e cila vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për punonjësit e policisë Dorian Sulo dhe Ronald Xhaferi, me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 135 e 25 i Kodit Penal.
Ekzekutimi i këtij vendimi vjen pas një pune intensive hetimore, në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 25.01.2023, kur u ndalua punonjësi i policisë M. J. dhe u procedua në gjendje të lirë punonjësi i policisë D. S. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.