30-vjeçari shqiptar, Sabajet Shuti është akuzuar për vrasjen një 27-vjeçari bashkatdhetar të quajtur Lumturi Zeqja, në Leytonstone të Anglisë.
Mësohet se ndaj 30-vjeçarit Shuti, rëndojnë edhe akuza të tjera si plagosja e një personi tjetër, prishje e qetësisë publike dhe mbajtje e një thike.
Policia u thirr në Church Lane, Leytonstone në orën 22:59 më 16 tetor 2022 pas raportimeve për një përleshje.
Oficerët gjetën dy të rinj të plagosur. Me gjithë përpjekjet e urgjencës, 27-vjeçari Zeqja ndërroi jetë në vendngjarje.
Ai u vra pasi ndërhyri për të shpëtuar shokun e tij që u përfshi në një sherr në lokalin ku ndodheshin.
Një ditë pas vrasjes një i afërm i viktimës tha për The Standard se:
“Lumturiu jetonte në Londër për 13 vjet dhe ishte një punëtor i palodhur. Ai hyri në mes të sherrit për të ndarë shokun e tij dhe e vranë. Ishte një njeri i guximshëm dhe i mirë për të ndërhyrë dhe për të shpëtuar mikun e tij. Dora e vrasësit na ka lënë të mjerë të gjithëve. Na e mori lumi në moshën më të bukur. Nuk ka fjalë për të ngushëlluar familjen e tij.”