Tre mjekë të spitalit të Fierit janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të një 54 vjeçari, i cili humbi jetën 2 vite më parë.

54 vjeçari humbi jetën në muajin shkurt të 2022-it ndërsa mjekët Blendi Dhespollari, Ilva Çuni dhe Klajdi Jesini dyshohet se kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të tij.

“Komisariati i Policisë Fier ekzekutoi masat e caktuara më datë 21.12.2024, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për 3 shtetas. Konkretisht, për shtetasin: Blendi Dhespollari, 56 vjeç, masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”;

Ilva Çuni,29 vjeçe, masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”; Klajdi Jasini, 40 vjeç, masa “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Këta shtetas, me profesion mjekë në spitalin rajonal të Fierit, dyshohet se kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të shtetasit A. Sh., 54 vjeç, dhe si pasojë 54-vjeçari ka humbur jetën më datë 03.02.2022”- thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.