SPAK ka vendosur nën hetim dy kryebashkiakë të tjerë të dyshuar për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Raportohet se kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli dhe kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla, po hetohen nga prokurori i posaçëm Elvin Gokaj, pas denoncimeve që i dyshojnë të dy zyrtarët se kanë abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.

SPAK nuk i ka marrë ende në pyetje dy shefat e pushtetit lokal, por ka bërë gati ftesat për të pyetur punonjës të bashkive respektive.

Në të dhënat paraprake të përftuara nga hetimi dyshohet se disa qytetarë kanë përftuar dy herë dëmshpërblim për të njëjtin objekt.

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentave mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.

Disa kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë përfunduan të pandehur gjatë këtij viti sidomos për tenderat, si të denoncuar jo vetëm nga KLSH-ja por edhe të referuar nga prokuroritë e zakonshme që ja përcollën kompetencën SPAK.