Greqia do të shpejtojë procedurat për marrjen e lejeqëndrimit, për t’i hapur rrugë një numri të madh emigrantësh të futen në tregun e punës.
Ministria e Emigracionit dhe Azilit po vlerëson mundësitë për rregulluar kuadrin ligjor, e më pas të kalojë propozimin në Kuvend.
Me ligjin në fuqi, emigrantët duhet të presin deri në tre vjet për rinovimin e lejes së qëndrimit dhe prurjet e shumta të tyre e kanë çuar sistemin në kolaps.
Emigrantët shqiptarë do të jenë përfituesit e mëdhenj nga ndryshimet e reja, duke qenë se përbëjnë rreth 60 për qind të gjithë të ardhurve në mënyrë të ligjshme, dhe pas tyre do të jenë gjeorgjianët e pakistanezët.
Në drejtoritë e emigracionit në Atikë deri tani llogariten se rreth 200 mijë aplikime për leje-qëndrimi janë në pritje.
Përveç reformës për emigracion të ligjshëm, Greqia po punon edhe për marrëveshje të reja dypalëshe me të paktën gjashtë shtete, si Moldavia, Gjeorgjia, Armenia, India, Vietnami dhe Filipinet, për të marrë punonjës të këtyre vendeve.