Twitter ka rënë dakord t’i shesë veten Elon Musk, me një marrëveshje që kap vlerën e rreth 43 miliardë dollarëve.
Time e cilëson arritjen e marrëveshjes, si një nga blerjet më të mëdha ndonjëherë të një kompanie të listuar.
Twitteri u përpoq më herët ta pengonte përpjekjen e miliarderit për ta marrë kontrollin e kompanisë, nëpërmjet një të ashtëquajture “pilule helmuese”, një instrument financiar që kompanitë e përdorin prej shumë dekadash kundër blerësve të interesuar të padëshiruar. Përbërësit e secilës “pilulë helmuese” dallojnë, por të gjitha ato janë të krijuara për t’u dhënë bordeve të korporatave një opsion për të vërshuar tregun me shumë aksione të reja, saqë një blerje bëhet shumë e shtrenjtë për t’u realizuar. Strategjia fitoi popullaritet në vitet ‘80, kur shoqëritë publike bëheshin pre e blerësve të aksioneve të mëdha si Carl Icahn, të cilët tani më shpesh përshkruhen si “investitorë aktivistë”.
Musk, i njohur më mirë si shef ekzekutiv i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla, aktualisht ka në pronësi rreth 9 për qind të aksioneve të Twitter-it, por ka shprehur interesimin për të blerë më shumë.