Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodorikakos ka reaguar në lidhje me vrasjen e dy shqiptarëve në Athinë Kreshnik Çerçizajt dhe Armando Ogranaja.
Ai ka theksuar se hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa për të bërë sa më shpejt të mundur zbardhjene saj dhe kapjen e autorëve të dyshuar pritet të ketë një bashkëpunim ndërkombëtar, duke mos dhënë më shumë detaje. Sipas ministrit grek, ekzekutimi mafioz dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh mes mafies shqiptare, shkruajnë mediat greke.
“Sa i përket vlerësimit të policisë, bëhet fjalë për një larje hesapesh mes njerëzve që i përkasin mafies shqiptare, mbase ka degëzime të tjera, për të cilat mund të kemi edhe një bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk do të përgjigjem në pyetje më specifike. Hetimet janë në vazhdim. Hetimet nuk ndalen, sidomos kur bëhet fjalë për vrasje, vetëm kur të gjendet autori”, tha ai.
Masakra ndodhi 3 netë më parë në Athinë. Një person i veshur me të zeza dhe me maskë kirurgjikale u fut dhe hapi zjarr në një restorant të mbushur me klientë. Ai u afrua pranë tavolinës ku ndodheshin dy shqiptarë dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Më pas u largua me vrap. Kreshnik Çerçizaj ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Armando Ogranaja në spital.