3-vjeçari me inicialet B.S., ndërroi jetë nga mbidoza e narkozës.

Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e mjekësisë ligjore.

Mediat kanë siguruar ekspertizën, që zbardh shkakun e vdekjes së vogëlushit, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes që bëri në dhëmbë në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.

“Shkaku i vdekjes së shtetasit B.S., ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”, thuhet në akt-ekspertizë.

Ndërkohë, mjeku Xhaxho ka mohuar faktin se shkak i kësaj gjendje ka qenë mbidoza nga narkoza.

Ai tha se djali doli zgjuar nga klinika, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet e familjarëve të viktimës.

Sipas familjarëve, i mituri është ndjerë keq pasi ka dalë nga klinika dhe ka ndërruar jetë i shtuar në spital.

Ata kanë akuzuar mjekun se i ka dhënë mbidozë narkoze djalit, duke i shkaktuar atij dhe vdekjen.

Ngjarja në fjalë ka sjellë reagim të madh në opinionin publik, ndërkohë që rasti po hetohet.