Në fillim të vitit, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në Universitetin e Harvardit iu shtua edhe gjuha shqipe. Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti.
Gazetari i “Zërit të Amerikës”, Burim Goxhuli, ishte në qytetin Cambridge, në Massachusetts, ku ndodhet Universiteti i Harvardit dhe solli më shumë hollësi mbi këtë programi. Gjuha shqipe, lëndë me zgjedhje në Departamentin e gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes së afërt, ofrohet në tri nivele, atë fillestar, të mesëm dhe të avancuar, pavarësisht nga njohuritë e studentëve.
Ligjeruesi, Faton Limani, thotë se studentët që zgjedhin gjuhën shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës.
Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjërues, përveç atyre gjërave bazike që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar gjuhën shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë.
Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezantim ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të hjuhës dhqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, – u shpreh ai.
Ishte studentja shqiptaro-amerikane Edona Cosovic, ajo, që verën e vitit të kaluar parashtroi kërkesën që gjuha dhqipe të bëhej pjesë e studimeve në universitetin prestigjioz amerikan.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Edona thotë se ishte dëshira për të studiuar më shumë mbi origjinën e saj ajo që e shtyu të kërkonte përfshirjen e programit të gjuhës shqipe në Harvard.
“Kjo është një arsye e rëndësishme për ta pasur këtë lëndë në Harvard. Unë kam dashur ta mësoj gjuhën, është shumë e rëndësishme për mua. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Dua që edhe fëmijët e mi të flasin shqip, por dua ta kem edhe kulturën. Të mësoj më shumë edhe mbi historinë e Shqipërisë. Unë jam shqiptare nga Mali i Zi dhe nuk i di të gjitha ndodhitë në Shqipëri dhe Kosovë. Tash, pak nga pak, në çdo klasë unë mësoj më shumë”,-rrëfeu ajo.