“Vlera” u kodua një operacion i policisë së Gjirokastrës gjatë të cilit u vu në pranga një person i cili vodhi në banesën e një shtetasi, para dhe bizhuteri me vlerë të konsiderueshme.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për një rast vjedhjeje të kryer në një banesë në fshatin Vanistër, Dropull, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Vlera”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe u kap pak orë pas kryerjes së vjedhjes, autori i dyshuar i saj, shtetasi Arben Muskanja, 46 vjeç, banues në Berat.

Nga veprimet hetimore dhe operacionale dyshohet se 46-vjeçari, më datë 21.04.2023, ka vjedhur në banesën e një shtetasi, në fshatin Vanistër, Dropull, një sasi të konsiderueshme parash, 9 ora dore, 13 varëse, 9 byzylykë dhe bizhuteri të tjera.

Sendet dhe paratë e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.