Kryetari i PD-së në Libohovë, Adil Xhelili, akuzon Bashkinë Libohovë për realizimin e një tenderi abuziv pa konkurentë për karburant.
Sipas tij, Bashkia harxhon mbi 25 mijë litra naftë, ose 2000 litra naftë në muaj, për të mbushur me karburant një kamion mbeturinash që lëviz një herë në javë.
Ja reagimi i plotë i Xhelilit:
Në muajin gusht të vitit të kaluar bashkia Libohovë ka tenderuar gati 50 milionë lekë karburant për mjetet e saj, ose mbi 25 mijë litra naftë, pra një mesatare mujore 2000 litra. Bashkia Libohovë ka në përdorim një kamion për transport mbeturinash i cili mbulon vetëm qytetin Libohovë dhe lëviz mesatarisht 1 herë në javë. Po kështu bashkia ka në pronësi edhe një mjet të rëndë, skrep i cili nuk ka qenë në funksion me përjashtim të ditëve të fundit. Automjete të vogla janë dy, të cilat nuk lëvizin përditë. Duke gjykuar paraprakisht nga “flamuri i kuq” tenderi është abuziv dhe jashtë formatit ligjor, duke mos patur konkurrentë të tjerë dhe duke lënë shkak për tender të fiksuar për një klient. Ndërkohë, asnjë litër naftë nuk shkon për punë publike, për mirëmbajtje rrugësh, për pastrim përrenjsh apo kanalesh, për sistemim rrugësh në fshatra apo më tej. Ku dhe kush e harxhon karburantin e taksapaguesve?! Pyetje që duhet t’i japë përgjigje SPAK në ditët në vazhdim.