Istref Tirollari ka mohuar akuzat se i biri i tij, Kledi Tirollari, ka abuzuar seksualisht me vajzën e ish-bashkëjetueses së tij.
29-vjeçari nga fshati Vërdovë i Pogradecit akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën 12-vjeçare të njerkës së tij.
Në një prononcim për media, babai pranon se ka qenë i lidhur me nënën e 12-vjeçares, por mohon që i biri të ketë fjetur në një dhomë me vajzën e saj.
Ai deklaron se akuzat janë bërë nga ish-partnerja e tij si hakmarrje pas ndarjes mes tyre.
“Unë kam tre djem, të cilët punojnë e jetojnë në Greqi, përfshi dhe Kledin. Unë kam filluar bashkëjetesën me Mirela Bosin pa dijeninë e djemve. Kur është kthyer nga emigracioni Kledi, i kam bërë me dije se unë bashkëjetoj me një grua që ka një vajzë. E mirëpriti dhe me tha se vajzën do e konsiderojme si motrën tonë. Vajza flinte me nënën e saj dhe jo me djalin. Djali nuk ka patur marrëdhënie seksuale me vajzën e bashkëjetesues. E gjithë kjo erdhi pas grindjeve tona dhe largimit të saj nga shtëpia. Kur është larguar, na ka kërcënuar kur tha: ‘Do ta shihni se çfarë do t’u bëj’”- tha ai.
Pavarësisht deklaratave mohuese për abuzim seksual nga 29-vjeçari, gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Edhe avokati i 29-vjeçarit kërkoi nga gjykata lirimin e klientit, pasi nuk ka ende një ekspertizë që provon kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
“Nuk ka pranuar autorësinë, pretendon se vajza e mitur ka jetuar në shtëpinë e tij, bashkë me nënën që ishte në lidhje martesore me babain e tij. Deri në këto momente s’është kryer akti i ekspertimit mjeko-ligjor ndaj të miturës. Kemi kërkuar të mos caktohej asnjë masë sigurimi personal sepse nuk provohet. Jemi para deklarimeve të nënës së të miturës, nuk ka asnjë provë konkrete. Rasti është denoncuar 2-3 ditë më parë, ka patur problematikë me të atin e të ndaluarit, pas kësaj është bërë edhe kallëzimi në polici”, deklaroi avokati.