Kryeministri Edi Rama pas Athinës do të vijojë turin e tij të takimeve me diasporën më 26 maj në Milano, por në prag të këtij takimi me emigrantët, disa dhjetëra prej tyre që jetojnë në Itali kanë protestuar sot para godinës së Ambasadës shqiptare.
Tubimi nisi në orën 11:00 dhe vijoi për më shumë se 60 minuta, me emigrantët shqiptarë që protestuan nën moton #Duatëvotojnë2025.
Aktivisti Arbër Lleshi në një lidhje live me “Ditarin e fundjavës” në A2 CNN, pas mbylljes së tubimit, shpjegoi edhe detajet nga ky organizim i disaporës.
“Ne u tubuam këtu. U mblodhëm të gjithë para ambasadës shqiptare në Milano. Patëm një mbledhje me atmosferë shumë entuziaste. Njerëzit dhe të rinjtë e diasporës janë shumë të përkushtuar ndaj qëllimit për të mundësuar të drejtën e votës së tyre. Fatkeqësisht deri para pak kohësh nuk bisedohej fare për këtë çështje. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” e bëri problem në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje dhe tanimë kemi një vendim gjykate që e detyron parlamentin të reformoj Kodin Zgjedhor. Ky vendim gjykate nuk është zbatuar, është tejkaluar afati, është shkelur. Prandaj ne jemi të gjithë këtu, që ta japim mesazhin tonë para ambasadës në vendin ku jetojmë.”
Më tej ai shprehu shqetësimin e se Ambasadat e vendit tonë kudo në Europë nuk i përgjigjen si duhet problematikave të diasporës shqiptare, duke vendosur theksin te arroganca e punonjësve që shërbejnë aty.
“Ambasada jo vetëm që nuk reagon fizikisht por as nuk na përgjigjet në telefon as neve dhe as autoriteteve vendase. Pavarësisht mos-seriozitetit të institucionit ne jemi për ta dhënë mesazhin tonë drejtpërdrejtë. Dimë që nëpër ambasadat tona kudo nëpër botë e kanë pasur këtë problem. Mund të flas vetë për ambasadën në Mynih dhe në Vjenë ku kam jetuar. Ato pak herë kur e gjejnë kohën për t’u përgjigjur, nga Ambasada si institucion dhe zyrtarët kanë një sjellje jashtëzakonisht arrogante. Sillen sikur të ishin profetë ose të zgjedhur nga Zoti dhe jo shërbyes të njerëzve si qytetarë. Fatkeqësi e madhe për traditën e dobët institucionale që kemi.”
Kjo ishte protesta e katërt e diasporës shqiptare që pas shkeljes së afateve për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i la në dorë Kuvendit një vit më parë plotësimin e boshllëkut ligjor që pengon votimin e emigrantëve për zgjedhjet në Shqipëri.
Të ngjashme janë mbajtur edhe në Mynih, Vjenë dhe Shtutgard, ndërsa sipas Arbër Lleshit kjo formë organike e protestës do të vijojë edhe në Londër, Hagë dhe Uashington.