Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar efektivin e Gardës së Republikës, Martin Nikolli.

Nikolli bashkë me anëtarë të tjerë të fisit të tij, kanë dhunuar 2 pjesëtarë të familjes Kaçi paraditen e sotme në Hamallaj të Durrësit.

U raportua se gardisti, gjatë sherrit ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit, por për fat të mirë nga të shtënat nuk është lënduar njeri, ndërsa policia ka bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Durrës-Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor Martin Nikolli, pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.

Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit Martin Nikolli 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.