Kur kanë kaluar 24 orë nga dhunimi barbar i çiftit të bashkëshortëve të moshuar Rustemi në Povelçë të Fierit dhe pas arrestimit dje (13 Tetor) të agresorit të dyshuar Ilir (Ledjan) Nukja, me precedentë të mëparshëm penalë dhe i dënuar për tentativë vrasjeje, familjarë dhe bashkëfshatarë janë ende të tronditur.

Në dëshminë e saj për media fqinja e të moshuarve tregon se fillimisht dëgjoi zhurmë dhe doli menjëherë për të parë se çfarë po ndodhte teksa ka parë 80-vjeçarin të shtrirë përtokë të mbuluar me njolla gjaku.

“Pashë vetëm atë (Namik Rustemin) të shtrirë, asnjë gjë tjetër. I moshuari në gjendje më të rëndë, erdhi policia dhe ambulance, iu dha menjëherë ndihma e shpejtë”, tha fqinja.

Ndërsa nusja e djalit tregon se fillimisht i thanë se kishte pësuar aksident për të mos i trembur, ndërsa më pas mësuan për ngjarjen. Ajo pohon se autori ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa thekson se edhe pse ka qënë person problematik në zonë, me çiftin e të moshuarve nuk ka patur asnjëherë më parë probleme.

“Ishim në punë, na morën në telefon dhe na njoftuan. E ka shtypur makina na thanë, për të mos na tronditur. Kur erdhëm këtu na thanë se e ka goditur një person. Nuk e di cili ka qenë shkaku, vjehrra ka qenë me të kur ndodhi ngjarja.

Nuk kanë patur konflikte. Autori ishte i dehur, ka qenë problematik, por me këta pleqtë jo. Vajti te pleqëria, te ata që ishin në punë të tyre në dyqan.

Çifti ka tre çuna dhe një vajzë. Dyqanin kanë vite që e kanë dhe asnjëherë nuk kanë patyur probleme”, tha nusja e djalit të çiftit.

Dyert e dyqanit ushqimor vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa i moshuari Namik Rustemi, vijon të mbetet në intubim në Spitalin Rajonal të Fierit, kurse bashkëshortja e tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve.