Policia ka shpallur në kërkim Rexhep Rrajën alias Xheni, djali i deputetit socialist Rraham Rraja. Ai është shpallur në kërkim pas dhunës që ka ushtruar bashkë me anëtarë të fisit ndaj dy kushërinjve Bilbil Maja dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar për dëmet që iu shkaktonin në banesa shpërthimet e gurores në pronësi të Përparim Rrajës.
Ndonëse Rexhep Rraja, djali I deputetit socialist Ramazan Rraja, ishte pjesë e grupit të dhunuesve të cilët rrahin barbarisht me shkopinj gome dhe druri dy kushërinjtë Maja, emri I tij nuk figuronte as në njoftimin e djeshëm të policisë dhe as në njoftimin e mesditës së sotme.
Policia ndërhyri me një njoftim të tretë për median ku tashmë lajmëron se kishte identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe Rexhep Rrajën.
Në videon e dhunës barbare filmuar nga vetë Rrajat, Rexhep Rraja dallohet me shkop bejsbolli në dorë teksa qëllon brutalisht Bilbil Majën.
Po ashtu në kërkim janë shpallur edhe dy vëllezërit e deputetit, Flamur dhe Xhelal Rraja.
“DVP Tiranë Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njofton Policia.