Detaje të reja janë zbuluar nga atentati mafioz në Krujë pak pas mesnatës së të hënës (4 korrik) ku mbeti i vdekur 29-vjeçari Ramazan Sino.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autorët e krimit, që dyshohet se ishin 3, kanë zbritur nga makina pak metra larg vilës së Gentian Bejtjas dhe kanë shkuar në këmbë në drejtim të banesës.

Ata kanë hapur zjarr në momentin kur viktima ka qenë duke zbritur nga makina së bashku me nipërit e tij (fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas).

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes autorët kanë qëlluar tek banesa dhe më pas edhe në rrugën kryesore ku u gjetën 4 gëzhoja. Në total policia ka sekuestruar 28 gëzhoja.

Raportohet se viktima (kunati i Gentian Bejtjas) ka punuar si shofer në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu mësohet se Gentian Bejtja ka qenë në shtëpi një natë përpara krimit.

Po ashtu ka dyshime se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij dhe mbrëmjen e së hënës ka qenë në makinë së bashku me kunatin, Ramazan Sinën, por ka zbritur rrugës pa mbërritur në vilë.

Ky i fundit kishte ikur në Holandë më shumë se një vit më parë dhe po punohet për të zbuluar vendndodhjen e tij.