Deklaratë e kandidatit të opozitës për Bashkinë Memaliaj, Albert Malaj:

Ditët e fundit ka filluar të intensifikohet lufta elektorale e pabarabartë e qeverisë në mbarë territorin e Bashkisë Memaliaj. Konstatoj investime të arrnuara në çdo cep të territorit të Bashkisë Memaliaj, nga segmentë të kryetarit në ikje dhe deputetit të zonës.
Banorëve dhe familjeve të ndryshme, po i’u ofrohen favore elektorale në këmbim të votës. Dhjetara familjeve u paguhen borxhet e bukës së gojës nëpër dyqanet e fshatit apo qytetit në Memaliaj. Kjo në këmbim të votës së 14 majit.
Zhavorret dhe betonet elektorale janë konstatuar jo vetëm në akset publike, por edhe në hapësira private dhe kjo në kompensim të votës për kandidatin humbës. Si kandidat i Opozitës së Bashkuar, kam mbledhur prova për investime të tilla tërësisht abuzive në Njësitë Adminiustrative Qesarat, Krahës, Luftinjë e Buz.
Punonjësit e sektorit të shërbimeve publike, po shndërrohen në argatë të Gjuanlekut dhe Laert Durajt duke përmbushur detyrat e dhëna në plotësimin e boshllëqeve disavjeçare vetëm e vetëm për arsye elektorale.
Abuzimet janë tërësisht të dukshme dhe të verifikueshme nga kushdo.
Gjithë drejtorët e Tepelenës, janë hedhur në sulm frontal në Memaliaj, për të intimiduar punonjësit e tyre për t’i angazhuar ilegalisht në mbledhjen e votave kundrejt formave ilegale.
Veprimtaritë e tyre ilegale janë të ruajtura dhe ditët pasuese, do t’i denoncojmë emër për emër çdo akt ilegal të drejtorëve që kërkojnë përmes këtyre veprimeve, të deformojnë vullnetin e qytetarëve të ndershëm të Memaliajt.
Të gjendur në panik dyshja Guci-Duraj, po ndërmarrin veprime që nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit jo vetëm popullor më 14 maj, por edhe atij ligjor pas kësaj date.
Memaliaj, do t’i ndëshkojë këta marifetçinj që kanë për zanat vjedhjen e vullnetit të qytetarëve por edhe të aseteve publike përmes tenderave abuzivë.
Koha po afron.
BASHKË FITOJMË !!!!