Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot në konferencë para mediave për të komentuar ndeshjen me Çekinë që luhet nesër në orën 20:45 në “Epet Arena” dhe vlen për raundin e tretë në grupet e Ligës së Kombeve.
Braziliani u shfaq optimist përpara gazetarëve dhe vlerësoi kundërshtarët si një ekip shumë i fortë. Silvinjo u shpreh se e ka zgjedhur tashmë 11-shen që do të hedhë në fushën e lojës dhe deklaroi se ndeshja e nesërme është përgatitur për fitore.
“Na pret një ndeshje e vështirë. Çekia është ekip i ashpër, bën tranzicione të shpejta. Ka mesfushorë që mund të shënojnë gola. Sulmuesi kryesor është i fortë. Ne kemi bërë përgatitjet si duhet, nuk futemi në fushë për të barazuar. Futemi në fushë për të bërë më të mirën.
Puna në kombëtare është e tillë, nuk ke shumë kohë për t’u përgatitur. Jemi të bindur për ekipin që do zgjedhim. Nuk ka shumë kohë për të humbur, koha ecën shpejt. Jemi të bindur se do futemi në fushë për më të mirën.
Sulmi- Herën e parë kishim Manaj dhe nuk kishim Dakun. Tani është e kundërta. Janë lojtarë të fortë, por kanë karakteristika të ndryshme. Gjithë stafi punon në kohë të zgjatur.
Nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse e bëmë stërvitjen zyrtare në Tiranë, thjesht për arsye logjistike. Ne kishim në fluturim që duhet të ishim këtu më 5 dhe që mos kishim arsye të humbisnim stërvitjen, pasi biseduam, vendosëm ta kryenim atje. Ne kemi një qendër shumë të bukur atje. Nuk i kam kërkuar Laçit të më japë informacione, por do ta pyes sot, nëse nuk më përgjigjet nuk do të luajë, nëse do të përgjigjet do të luajë.
Kemi lojtarë të mirë që luajnë në nivele të larta. Kemi Bajramin që kaloi te Gllasgou Renxhërs. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur. Nuk do ketë sens inferioriteti. Nëse shikojmë Çekinë, kanë qenë në Europian, pastaj në Botëror, pastaj në Europian prapë. Ne po bëjmë mirë së fundmi. Ky është rrugëtimi ynë” – tha ai.